Një mjek në burgun e Idrizovës kujdeset për rreth 691 të burgosur, ndërsa një infermier ose teknik mjekësor për afro 461 persona.

Këto janë disa nga të dhënat shqetësuese të raportit të Avokatit të Popullit për gjendjen e kujdesit shëndetësor në 11 institucione ndëshkuese-përmirësuese në vend. Sipas institucionit të avokatit të Popullit, mungesa e personelit mjekësor, pritjet e gjata për kontrolle specialistike, ndërprerjet e terapisë janë ndër problemet kryesore të evidentuara.

Në shtatë nga 11 institucionet është konstatuar mbipopullim, ndërsa në katër prej tyre kujdesi shëndetësor ofrohet në mënyrë periodike ose vetëm me thirrje.

Si probleme shtesë u theksuan mungesa e automjeteve dhe personelit për shoqërimin e të burgosurve drejt institucioneve shëndetësore, vonesat në diagnostikim dhe në marrjen e rezultateve mjekësore, si dhe vështirësitë në shpërndarjen e terapisë.

“Fakti që dikush është i paraburgosur ose i dënuar nuk do të thotë se nuk mund t’i gëzojë të drejtat që u takojnë të gjithë qytetarëve të tjerë. Përkundrazi, shteti duhet t’ua garantojë këto të drejta dhe t’u sigurojë me kohë kujdes shëndetësor cilësor.”, – deklaroi Avokati i Popullit, Faton Selami.

“Sipas standardeve ndërkombëtare, një mjek duhet t’u shërbejë rreth 300 të burgosurve. Nuk paraqiten, nuk janë të interesuar, me siguri për shkak të kushteve financiare apo për shkak të hapësirave të mbyllura të burgjeve. Ketë e kemi konstatuar edhe në raport.”, – theksoi zëvendësavokatja e Popullit, Sonja Trifunovska.

Edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, vlerësoi se qasja në kujdesin shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut, e cila kërkon angazhim institucional dhe bashkëpunim efektiv ndërmjet organeve përgjegjëse.

“Respektimi i kësaj të drejte kërkon angazhim të qartë institucional dhe bashkëpunim efikas ndërmjet organeve dhe profesionistëve përgjegjës për ofrimin e kujdesit shëndetësor.”, – u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val.

Me këtë rast u tha se kërkohet një zgjidhje e përbashkët nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume