Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar autoriteteve polake disa paralajmërime të inteligjencës, sipas të cilave Rusia dyshohet se po përgatit një provokim të armatosur në territorin e Polonisë gjatë muajve të ardhshëm, me qëllim testimin e vendosmërisë së NATO-s dhe ushtrimin e presionit ndaj Perëndimit për të ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Sipas burimeve pranë presidentit polak, Karol Nawrocki, shërbimet amerikane të inteligjencës i kanë dorëzuar Varshavës informacione mbi plane të mundshme ruse që mund të shkaktojnë një krizë të kufizuar sigurie në krahun lindor të NATO-s.
Vlerësimet e inteligjencës sugjerojnë se Moska synon të testojë gatishmërinë e Aleancës për t’iu përgjigjur një incidenti të kufizuar, duke rritur njëkohësisht tensionet gjeopolitike dhe duke ushtruar presion mbi aleatët perëndimorë që të ndalin mbështetjen ushtarake dhe logjistike për Ukrainën.
Shërbimet e sigurisë të Polonisë dhe vendeve baltike thuhet se kanë identifikuar disa skenarë që po shqyrtohen nga pala ruse.
Mes tyre përmenden sulme ajrore të simuluara për të aktivizuar sistemet polake të mbrojtjes kundërajrore, si dhe sulme me dronë ose raketa ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë objektet energjetike, raporton theindependent.
Vlerësimet përfshijnë edhe mundësinë e një inkursioni tokësor hibrid përmes kufirit lindor të NATO-s. Në këtë skenar, forca të armatosura ruse ose bjelloruse mund të kalojnë kufirin nga drejtimi i Bjellorusisë ose enklavës ruse të Kaliningradit.